
Ushqyerja me gji tek pacientet me Covid-19
Ushqyerja me gji është thelbësore për të porsalindurit. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon ushqyerjen ekskluzive me gji për 6 muajt e parë të jetës, të ndjekur nga vazhdimi i gjidhënies me ushqime plotësuese të përshtatshme deri në 2 vjet dhe më tej.
Përvec benefiteve që ka qumështi i gjirit, kontakti lëkurë me lëkurë i bebeve me nënat rrit mirqenien e tyre.
Sidoqoftë, janë ngritur shqetësime nëse nënat me COVID-19 mund të transmetojnë virusin SARS-CoV-2 tek fëmija i tyre përmes ushqyerjes me gji. Rekomandimet mbi kontaktin nënë-foshnjë dhe ushqyerjen me gji duhet të bazohen në një shqyrtim të plotë jo vetëm të rreziqeve të mundshme të infeksionit COVID-19 të foshnjës, por edhe rreziqeve të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që lidhen me mos-ushqyerjen me gji, përdorimin e papërshtatshëm të qumështit formulë, si dhe efektet mbrojtëse të kontaktit lëkurë me lëkurë.
OBSH rekomandon që nënat me COVID-19 të dyshuara ose të konfirmuara duhet të inkurajohen të fillojnë ose të vazhdojnë të ushqejnë me gji. Nënat duhet të këshillohen se përfitimet e ushqyerjes me gji tejkalojnë dukshëm rreziqet e mundshme për transmetimin.
Tek foshnjat, rreziku i infeksionit COVID-19 është i ulët, infeksioni është tipik i lehtë ose asimptomatik, ndërsa pasojat e mos ushqyerjes me gji dhe ndarjes midis nënës dhe fëmijës mund të jenë të konsiderueshme. Në këtë pikë duket se COVID-19 tek foshnjat dhe fëmijët paraqet një kërcënim shumë më të ulët për mbijetesën dhe shëndetin sesa infeksionet e tjera nga të cilat ushqyerja me gji është mbrojtëse. Përfitimet e dhënies së gjirit dhe ndërveprimit nënë-foshnjë për të parandaluar infeksionin dhe për të promovuar shëndetin dhe zhvillimin janë veçanërisht të rëndësishme kur shëndeti dhe shërbimet e tjera të komunitetit janë ndërprerë ose të kufizuara.
Çfarë duhet të bëni nëse jeni konfirmuar pozitive me Covid-19 dhe duhet të ushqeni foshnjen me gji:
•Përdorni maskë mjekësore kur i afroheni foshnjes nëse keni kollë apo gulçime.
•Lani dhe dizinfektoni duart para dhe pas kontaktit me foshnjen
•Nëse nuk keni mundësi ta ushqeni vet foshnjen, përdorni pompë për gjirin dhe më pas dikush mund të ushqej foshnjen
•Mund të përdorni metodën e gjidhënies nga një person tjetër që është i shëndetshëm
Çfarë duhet të ketë parasysh stafi që kujdeset për lehonat dhe të porsalindurit:
•Nëse jeni duke ofruar shërbime të lehonisë dhe të porsalindurve, nuk duhet të promovoni zëvendësues të qumështit të gjirit,biberonat,thithkat artificiale.
•Mundësojini nënave dhe foshnjave të qëndrojnë së bashku dhe të praktikojnë kontakt lëkurë me lëkurë dhe qëndrimin në të njëjtën dhomë
Udhëzime standarde për ushqyerjen e foshnjave me gji:
•Filloni ushqyerjen me gji brenda 1 ore nga lindja.
•Vazhdoni ushqyerjen ekskluzive me gji për 6 muaj, pastaj filloni ushqime plotësuese të përshtatshme dhe të sigurta në moshën 6 muajsh.
•Vazhdoni ushqyerjen me gji deri në moshën 2 vjeç ose më tej.
MSc. Greta Mërtiri

