Heronjte e heshtur dhe modest te vendit tone - Gerta Bilali

Dje në mesnatë m’u desh të çoja një të afërm në urgjencën e sëmundjeve të brendshme në QSUT. Hyj brenda në urgjencë, rrotulloj këndet e syve që më lejonte maska e shoh një zallamahi të frikshme. Staf mjekësor që vraponte nëpër korridore, njerëz të çdo lloj moshe që rënkonin, të rinj që ishin damllosur nga e pira dhe s’reagonin hiç. M’u duk sikur papritur isha trasportuar në ndonjë spital lufte.

Por… pasi u kujdesën për të afërmin tim, vëmendja ime u zhvendos vetëm te stafi mjekësor. Për dy orë rresht pashë se si komunikonin me pacientët, se si u lehtësonin dhimbjet, se si lëviznin me shpejtësi e përpikmëri nga një shtrat te tjetri. Veçanërisht njëri prej tyre. Një ndihmës mjek, të cilit do të doja t’i kisha mësuar emrin për ta falënderuar siç duhet. Komunikonte me qetësi edhe ndaj atyre që nuk e meritonin. (flas për ata shoqëruesit e pacientëve që ulërisnin me gishta në vesh) Rrezatonte profesionalizëm e mirësi me çdo pacient.

I nderuar ndihmës mjek i turnit të tretë, edhe pse e di që s’do e lexosh këtë status, të jam mirënjohëse. Ti dhe kolegët e tu jeni heronjtë e heshtur e modestë të vendit tonë!
Nga Gerta Bilali

Leave a comment