
DENISA BERDUFI / Infermiere
Denisa Berdufi është një nga profesionistet shqiptare të shëndetësisë që ka fituar vlerësim ndërkombëtar falë përkushtimit, profesionalizmit dhe lidershipit të saj në infermieri. Rruga e saj nisi në Shqipëri, ku përfundoi studimet Bachelor dhe Master i Skencave në Infermieri në Universitetin Mjekësor të Tiranës dhe më pas nisi punën pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Gjatë pandemisë COVID-19, ajo u dallua si një nga infermieret kryesore në pavijonin COVID, duke udhëhequr ekipe dhe trajnuar stafin e ri në një periudhë të jashtëzakonshme.
Pas eksperiencës në QSUT, Denisa vijoi karrierën në Gjermani, fillimisht në Hegau Klinikum Bodensee, në pavijonin e Kardiologjisë dhe më pas në spitalin prestigjioz Charité Universitätsmedizin Berlin, një nga qendrat më të njohura universitare në Evropë ku vazhdoi eksperiencën e saj po në pavijonin e kardiologjisë, ku menaxhon pacientë me patologji të ndërlikuara dhe mori pjesë në procedura të avancuara si kateterizime, TAVI dhe implantime pacemaker-ësh.

Së fundmi, Denisa ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm: ka marrë licensën për ushtrimin e infermierisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (NCLEX-RN), duke u bërë një nga profesionistet e pakta shqiptare që zotëron licensa në tre vende -Shqipëri, Gjermani dhe SHBA. Ky certifikim është një dëshmi e standardeve të larta dhe njohjes ndërkombëtare të aftësive të saj profesionale. Përveç punës klinike, Denisa ka dhënë një kontribut të çmuar në ndihma humanitare, duke qenë pjesë e Kryqit të Kuq Shqiptar. Aktualisht, ajo është edhe anëtare e Sigma Theta Tau International Honor Society of Nursing, një nga organizatat më prestigjioze në botë në fushën e infermierisë, që pranon vetëm profesionistët më të spikatur.

Me përvojën e saj të gjerë ndërkombëtare, me lidershipin e treguar në momente kritike dhe me njohjen e fituar nga institucionet më prestigjioze, Denisa Berdufi përfaqëson një histori suksesi dhe një model frymëzues për infermierinë shqiptare në arenën globale.
Shoqata e Infermierëve te Shqiperise

